23 maj, 2021 – Me ndeshjet e sotme të javës së 36-të është mbyllur edicioni i garave 2020/21 në Superligë. Pasi një javë më parë Prishtina u kurorëzua me titullin e kampionit, ndeshjet e sotme vendosën edhe për skuadrën nënkampione, si dhe për skuadrën që iu bashkua Besës në një rang më të ulët të garave dhe për skuadrën që do të luajë në barazh. Biletën për garat evropiane e siguroi Drita, e cila me fitoren ndaj Arbërisë (2:0) e mbylli edicionin si nënkampion, derisa skuadrës nga Dobraja e Lipjanit kjo humbje i kushtoi me rënie nga Superliga. Ndërkaq, Trepça’89 me fitoren kundër Drenicës (2:1) në “Riza Lushta” iu shmang pozitës së parafundit, por jo edhe barazhit. Kësisoj, skuadra mitrovicase qëndrimin në elitë për edicionin e ardhshëm do të duhet ta kërkojë përmes ndeshjes së barazhit kundër skuadrës së Dukagjinit të Klinës, që do të zhvillohet në fundjavën e ardhshme.

Rezutatet e javës së 36-të
Prishtina – Ballkani 2:5
Drita – Arbëria 2:0
Llapi – Feronikeli 1:1
Trepça’89 – Drenica 2:1
Besa – Gjilani 1:0