1 maj, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 32-të në Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Drita është rikthyer te fitorja, duke e mundur në shtëpi Feronikelin, me rezultat 3:1. Kjo fitore ia mundëson Dritës ta vazhdojë garën për mbrojtje të titullit, derisa Feronikeli mbetet i rrezikuar për rënie nga elita. Golat për Dritën i shënuan Festim Alidema (16’-pen), Astrit Fazliu (49’) dhe Xhevdet Shabani (73’), derisa golin e nderit për skuadrën nga Drenasi e realizoi Marko Simonovski. Gjilani ka shënuar fitore si mysafir në duel me Arbërinë në Podujevë, me përmbysje të rezultatit 4:3, duke ia vështirësuar skuadrës së Arbnor Morinës garën për mbijetesë. Për gjilanasit shënuan Besar Musolli, Gerhard Progni (38’, 86’) dhe Shend Kelmendi (89’), derisa për Arbërinë realizuan Cesar Santos (8’-pen), Almir Kryeziu (20’) dhe Kreshnik Bahtiri (52’). Ndërkohë, Besa pas pikës së fituar ndaj Dritës në mesjavë e ka përgatitur një tjetër befasi, kësaj radhe duke barazuar me Trepçën’89 në Mitrovicë, 1:1. Të parët në epërsi kaluan pejanët me golin e Diellor Besenit, në minutën e 20-të, derisa shifrat i barazoi Arbnor Muja, në minutën e 64-t.