8 korrik, 2021 – Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita, ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të raundit të parë të garës së re të UEFA-s, Liga e Konferencës. Gjilanasit të enjten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” e kanë mposhtur skuadrën shqiptare nga Tuzi i Malit të Zi, Deçiqin, me rezultat të ngushtë, 2:1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Ilir Camajt, në minutën e 3-të. Por, vetëm 8 minuta më pas Almir Ajzeraj i barazoi shifrat. Ndërkohë, golin e fitores për gjilanasit e shënoi Marko Simonovski në minutën e 78-të. Drita pati edhe disa mundësi të mira shënimi, por futbollistët e saj nuk u treguan efikas para portës. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu u shpreh i kënaqur me lojën e shfaqur. “E filluam ndeshjen lehtë dhe pësuam. Pas pësimit është e vështirë, por lojtarët treguan karakter dhe dëshirë për ta marrë fitoren. Mendoj se me meritë kemi fituar. Kemi krijuar shumë raste por na mungoi saktësia në fund për rezultat më të thellë. Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë. Asgjë nuk ka mbaruar, pasi kemi edhe 90 minuta tjerë”, ka thënë Nuhiu. Ndeshjen nga afër e ka ndjekur edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Përballja e kthimit ku do të përcaktohet skuadra që kalon tutje do të luhet në Podgoricë më 15 korrik.