12 shtator, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 3-të në BKT Superligë. Dukagjini ka shkëputur një pikë të rëndësishme si mysafir në duel me skuadrën favorite, Gjilanin, duke barazuar 0:0. Të dyja ekipet patën mundësi të mira shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit. Madje, Gjilanit në pjesën e dytë golin ia mohoi shtylla pingule pas gjuajtjes së Torrases. Për të dyja skuadrat ky ishte barazimi i dytë në këtë edicion, teksa gjilanasit kanë edhe një fitore, derisa skuadra nga Klina ka pësuar një humbje. Ndërkohë, edhe në ndeshjen tjetër ishte skuadra mysafire që rezultoi e suksesshme, por Feronikeli arkëtoi pikët e plota, duke e befasuar Llapin në Merdar, me rezultat 2:0. Për skuadrën nga Drenasi kjo ishte fitorja e parë në këtë edicion, derisa llapjanët pas dy barazimeve e përjetuan edhe humbjen e parë. Golat për Feronikelin i shënuan Dren Gashi, në minutën e 45-të dhe Diar Prokshi, në minutën e 64-t. Mysafirët në minutat e fundit realizuan edhe një gol nëpërmjet Dren Gashit, por ai u anulua pas rishikimit të VAR-it për pozitë jashtëloje.