5 mars, 2022 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 23-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Dukagjini ka shënuar fitore të rëndësishme në përballje me Prishtinën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultat 2:1. Golat për fitoren e skuadrës së drejtuar nga Armend Dallku i shënuan Mentor Zhdrella në minutën e 10-të dhe Altin Merlaku nga penalltia në minutën e 44-t, derisa golin e vetëm për Prishtinën e realizoi Mendurim Hoti në minutën e 17-të. Pas kësaj fitoreje Dukagjini ngjitet në vendin e tetë, me 24 pikë, derisa Prishtina renditet në pozitën e gjashtë me 26 pikë. Në anën tjetër, Malisheva ka realizuar fitore të pritur në duel me Feronikelin, në stadiumin “Liman Gegaj”, me rezultat 6:1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Laurant Xhylanit (18’), por më pas Malisheva realizoi seri të golave nëpërmjet Mërgim Pefqelit 43’, Yoan Marc-Olivier 55’, Agon Xhakës 70’, Ronald Sobowale 72’, 76’ dhe Ilir Mustafës 87’. Malisheva pas kësaj fitoreje ndodhet në pozitën e shtatë, me 26 pikë.