20 korrik, 2023 – Skuadra e Dukagjinit ka arritur të kualifikohet në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, pasi edhe në ndeshjen e kthimit ka shënuar fitore ndaj skuadrës nga Gjibraltari, Europa, me rezultat 3:2. Pas fitores në stadiumin “Fadil Vokrri” (2:1), skuadra e drejtuar nga Armend Dallku pati paraqitje të mirë edhe në Gjibraltar, duke e përmbyllur me sukses misionin në debutimin e saj në garat evropiane. Iljasa Zulfiu zhbllokoi shifrat në minutën e 23-të, duke realizuar nga pika e bardhë. Vendasit kthyen baraspeshën në rezultat në minutën e 38-të, kur Alberto Quintana po ashtu shënoi nga penalltia. Skuadra e Dallkut e riktheu epërsinë në minutën e 47-të me golin e Arbër Shalës. Epërsinë në 3:1 e shtoi Iljasa Zulfiu, në minutën e 79-të, teksa rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vendosi Antonio Vera, në minutën e 87-të. Në rrethin e ardhshëm Dukagjini do të ketë punë me skuadrën e njohur kroate, Rijeka.