17 shtator, 2023 – Dukagjini është bërë skuadra e parë që ka arritur ta ndalë kampionin në fuqi, Ballkanin në këtë edicion të garave. Në kuadër të javës së 5-të, skuadra e drejtuar nga Armend Dallku, ka barazuar 1:1 ndaj portokallezinjve, në ndeshjen e zhvilluar para tifozëve të vet. Madje, Dukagjini e dominoi pjesën e parë dhe krijoi epërsi me golin e Altin Merlakut, në minutën e 44-t. Megjithatë, në pjesën e dytë skuadra kampione në fuqi arriti të barazojë shifrat përmes Albin Berishës, në minutën e 71-të.
Lojë tejet interesante u zhvillua në përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Lirisë, e cila u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, e që po ashtu u përmbyll baras, 1:1. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 34-t, me golin e Leotrim Kryeziut. Para këtij goli prishtinasit ishin afër të shënonin në minutën e 11-të, por gjuajtja e Hasan Hysenit qëlloi traversën. Në pjesën e dytë ishte Liria që e dominoi lojën. Andri Stafa shënoi në minutën e 54-t, por goli nuk u pranua pas rishikimit në VAR. Mirëpo, goli i barazimit erdhi në minutën e 75-të, kur Prince Tjiueza shënoi nga afërsia. Vetëm katër minuta më vonë Prishtina fitoi penallti, por gjuajtjen e Leotrim Kryeziut e priti Arlis Shala. Një tjetër mundësi për fitore vendasit e patën edhe në minutat shtesë, por gjuajtja e Albion Kurtajt me kokë qëlloi shtyllën e portës prizrenase.