30 shtator, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit në kuadër të javës së 7-të në BKT Superligë. Dukagjini e ka realizuar fitoren e parë në këtë edicion, duke e mundur Dritën, me rezultat 2:1 në Klinë. Deri te kjo fitore skuadra nga Klina erdhi me përmbysje të rezultatit. Ishin mysafirët që zhbllokuan rezultatin me golin e Almir Ajzerajt, në minutën e 39-të. Shifrat i barazoi Ahmed Januzi, në minutën e 49-të, derisa golin e fitores për Dukagjinin e realizoi Henry Chibueze, në minutën e 87-të. Skuadra vendase që nga minuta e 60-të luajti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit me karton të kuq të Elton Basriut. Me këtë fitore Dukagjini ngjitet në pozitën e tetë, me 6 pikë, derisa Drita pas humbjes së dytë radhazi bie në pozitën e pestë, me 11 pikë. Ndërkohë, Prishtina nuk ka arritur të fitojë as në ndeshjen e tretë si vendase në “Fadil Vokrri”. Këtë javë kampionët në fuqi kanë barazuar me skuadrën e parafundit në renditje, Ulpianën, me rezultat 1:1. Ulpiana ishte e para që kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Ermir Rezi, në minutat shtesë të pjesës së pare, derisa shifrat i barazoi Leotrim Kryeziu në minutën e 64-t. Pas këtij barazimi Prishtina mbetet në pozitën e 6-të me 9 pikë.