Përkrahja e madhe për presidentin e FFK-së, Agim Ademi, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Themelore për një rast gjyqësor të vitit 2012, është duke ardhur gjithandej si nga Lidhjet Rajonale të Futbollit, ashtu edhe nga klubet dhe dashamirët e futbollit. Të gjithë besojnë fuqishëm në punën e drejtë të presidentit Ademi dhe i japin atij përkrahje deri në fund të këtij procesi, për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për ta mbrojtur edhe institucionin që drejton. Nëpërmjet një komunikate përkrahjen për presidentin Ademi e ka dhënë edhe Lidhja Rajonale e Futbollit e Prishtinës. “Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot për ndodhitë e fundit, LRFP konfirmon përkrahjen për kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, deri në përfundim të gjithë procesit”, thuhet në komunikatën e kryetarit të LRFP-së, Ismajl Ajeti.