12 nëntor, 2018 – Nuk do mend se përballja e vashave të Kombëtares A kundër një skuadre mjaft të fortë si Ukraina na jep të kuptojmë se sa punë na duhet në vazhdim kur jemi veç në hapat e parë të ecjes së skuadrave kombëtare. Por, gjithsesi se ballafaqimi me skuadra të mëdha të jep edhe përvojën e duhur për të cilën ka shumë nevojë ekipi ynë. Nuk asnjë pikë dyshimi se Ukraina ishte skuadër më e mirë, teknikisht, taktikisht dhe me forcë fizike e shpejtësi të jashtëzakonshme, por vajzat tona u angazhuan maksimalisht dhe nuk u dorëzuan për asnjë moment, gjë që flet për karakterin e tyre luftarak dhe dëshirën e madhe të tyre për rezultate dhe paraqitje sa më të mirë dhe dinjitoze. Në ndeshjen e dytë pamë një lojë më të konsoliduar të vajzave tona se sa në ndeshjen e parë dhe angazhim të madh. Ukrainaset shënuan në minutën e 29 nga pika e bardhë, përmes Kunines, ndërsa në minutën e 36 Romanenko shtoi epërsinë në 2:0 dhe kështu u mbyll pjesa e parë. Edhe pjesën e dytë u shënuan dy gola në minutën e 73-të shënoi nga një pozitë mjaft të dyshimtë Andrukhiva dhe në minutën e 78-të epërsinë prej 4:0 e ngriti Kochneva. Në minutën e 84-të ishte Leonorë Ejupi që shënoi për Kosovën por goli u anulua për pozitë jashtë loje që fare nuk ekzistoi. Sidoqoftë ndeshja u përmbyllë me rezultat bindës të Ukrainës.

Deklaruan pas ndeshjes:

Afërditë Fazlija, përzgjedhëse

Pjesa e parë ishte e baraspeshuar. Goli i pranuar nga penalltia mendoj se ndikoi  në ekipin tonë. Luajtëm më mirë se në ndeshjen e parë. U dhamë mundësi futbollisteve vendore, por mendoj se na duhet durim dhe punë e madhe për të arritur në nivelin e duhur dhe që të krahasohemi e të matemi me ekipe të mëdha. Ukraina dëshmoi cilësi të lartë, ne u munduam t’i kundërvihemi me forcat tona.

 

Leonorë Ejupi, futbolliste

Kemi luajtur më mirë se në ndeshjen e parë. U angazhuam shumë. U munduam që t’i bëjmë ballë një ekipi mjaft të mirë e të organizuar në ndeshje, por neve na mbetet që në të ardhmen të punojmë edhe më shumë.

 

 

 

Liridonë Syla , futbolliste

I gjithë ekipi pati një angazhim të madh. Të gjitha vajzat dëshironim rezultat sa më të favorshëm edhe pse tashmë e dinim se kemi të bëjmë me një ekip shumë më në nivel se sa ne, por nuk u dorëzuam për asnjë çast.

 

 

 

 

Modesta Uka, futbolliste

Loja ishte fortë me një kundërshtar mjaft të fortë e cilësor. Ne dhamë gjithçka nga vetja që të rivalizojmë, por nuk patëm sukses. Mendoj se duhet të punojmë më shumë në të ardhmen dhe besoj se do të bëhemi skuadër e fortë.

 

 

 

 

Ukraina- Kosova 4:0 (2:0)

Fusha e futbollit Antalya

Shikues: disa dhjetëra

Gjyqtare: . M. Ozçidem, D. Gok, M. Yavuzdek e N. Murtadag.

Shënuese: Kunin(29 p), Romanenko (34),Andrukhiv(73) eKochneva(78) për UKR

K.V. Dekrach e Uk e Ejupi, Kryeziu e Syla të Kos.

Ukraina: Bonadarchuk, Pdolska, Ivanishyn, Shevchuk, Romanenko, Kitayeva(Polykhovych), Patryk, Khavanska(Kochneva), Kunina, Malakhova, Kravets.

Kosova: Leci, F. Shala, Syla, Behluli(Tahiri) Rexhepi(Biçkaj), B. Shala, Uka, Ejupi Kryeziu, Racaj e Limani (Bajra).