Nga sot kemi hyrë në emocionet e edicionit të ri të garave, 2021/22. Tërheqja e shortit për Superligë dhe Ligën e Parë shënoi fillimin e përgatitjeve intensive, si për ne si federatë, e po ashtu për klube.
Ky edicion garues do të ketë shumë avancime e realizim të projekteve.

Superliga do të avancojë me sistemin VAR, një projekt ky gjigant, të cilin kemi arritur ta instalojmë në kohë rekorde në futbollin tonë. Po ashtu, ky edicion do të nisë edhe me digjitalizim të sistemit, rregullore të reja dhe avancime në edukim.

Në prag të kampionatit të ri, FFK u ka qëndruar sërish afër klubeve, duke i ndihmuar për t’u përgatitur sa më mirë si në aspektin organizativ, edhe në atë sportiv.

Tani jemi në fazën e vazhdimit të marrëveshjes për transmetimin e Superligës, derisa po punojmë që edhe Liga e Parë, e cila nga viti në vit po bëhet më interesante të jetë pjesë e platformës televizive dhe ta ketë vëmendjen e teleshikuesve.

Gjithashtu jemi në negociata për sponsor të Superligës dhe Ligës së Parë dhe javët në vazhdim presim ta finalizojmë edhe këtë proces. Në këtë edicion do të ketë projekte të avancimit edhe në Ligën e Dytë dhe të Tretë, por edhe në Ligën e Femrave dhe në ligat e futsallit.

Po ashtu, do të implementojmë programe të veçanta për shkollat e futbollit, me theks të veçantë nga programi Grassroots. Gjithashtu, në bashkëpunim me shkollat fillore dhe arsimtarët e edukatës fizike e sportive do ta përfshijmë lojën e futbollit në shkolla, me qëllim të masivizimit të këtij sporti dhe nxjerrjes dhe zbulimit të sa më shumë talenteve që nga moshat e reja.

Shpresoj që të gjithë së bashku do të punojmë me përkushtim edhe më të madh për ta ngritur futbollin tonë dhe për t’u krijuar gjeneratave të reja kushte sa më të mira për punë.

Sot, klubet e Superligës e Ligës së Parë mësuan orarin e garave të edicionit të ri dhe me këtë rast dua t’u uroj shumë suksese, teksa futbollistëve edicion pa lëndime dhe me ngritje të cilësisë.

Në kampionatin e ri besoj se nuk do të kemi kufizime dhe tifozët do t’u kthehen stadiumeve për t’iu dhënë përkrahje e motiv shtesë ekipeve të tyre të zemrës, duke e bërë garën shumë më joshëse dhe spektakolare.

Po ashtu, uroj që klubet tona pjesëmarrëse në garat evropiane të kenë sa ma shumë sukses, në mënyrë që në edicionin e ardhshëm ta kemi edhe ekipin e katërt në garat e UEFA-s.

Me punë e përkushtim, bashkë ia dalim!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së