1 shkurt, 2020 – Qyteti i Prizrenit që njihet si vatër e talenteve ka qenë stacioni i radhës i projektit “Elite Youth Development Programme U15”, që ka nisur të zbatohet tash e disa javë nga Federata e Futbollit e Kosovës me turne seleksionues nëpër regjione. Rreth 50 futbollistë nga shkollat dhe klubet e futbollit nga Prizreni e Theranda me rrethinë ishin pjesë e këtij grumbullimi, ku e shfaqën talentin e tyre para trajnerëve të këtij projekti, të cilët po punojnë me përkushtim për t’i vlerësuar në mënyrën më të mirë për të gjitha tiparet. Ashtu sikurse në regjionet e tjera edhe në Prizren u shfaqën lojëra interesante, me plotë imagjinatë e aksione të rrjedhshme nga talentet e këtij grumbullimi, duke e konfirmuar se ky regjion është vatër talentesh. Në fund të këtij turneu përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova përgëzoi futbollistët pjesëmarrës për paraqitjen e tyre, derisa u premtoi se do t’i ndjekin nga afër edhe në të ardhmen. Ndërkohë, drejtori teknik, Michael Nees, për faqen zyrtare të FFK-së, ka dhënë vlerësimin e tij në lidhje me ecurinë e deritashme të këtij projekti:
“Jam shumë i lumtur që e kemi filluar këtë projekt dhe tashmë ecuria e këtyre grumbullimeve po shkon gjithnjë e më mirë. Kjo është një punë sistematike e ndarë në disa faza, ku do të vëzhgohen me kujdes rreth 500 talente. Është mirë që po u jepet hapësirë fëmijëve që ta shfaqin talentin e tyre dhe njëherësh është një proces nga i cili përfitojnë përvojë edhe vetë trajnerët. Nga ajo çfarë kemi parë deri tash jemi shumë të lumtur me nivelin dhe kualitetin e këtyre futbollistëve. Në Gjermani punohet me këtë lloj programi në nivel të kombëtareve, por lirisht mund të them se FFK është federata e parë që këtë program e ka shtrirë nëpër regjione. Ky është programi më masiv dhe më korrekti edhe sa i përket mënyrës së vlerësimit nga të gjitha shtetet tjera ku kam punuar. Natyrisht është e pamundshme që të mos ketë ndonjë gabim në vlerësim, por ne jemi duke punuar në atë drejtim që t’i minimizojmë gabimet dhe realisht kemi një entuziazëm nga i gjithë stafi për një punë sa më korrekte dhe profesionale. Po ashtu, edhe në fytyrat e fëmijëve po vërejmë mburrje dhe krenari që janë pjesë e këtij projekti dhe sigurisht se në fund të këtij viti do ta kuptojmë se sa i rëndësishëm ishte ky projekt dhe çfarë progresi kemi bërë. Ndoshta dikush mendon se ky është një projekt i lehtë për t’u realizuar, por sinqerisht është një punë që kërkon shumë përkushtim. Ne, do të vazhdojmë të punojmë dhe do të mbajmë edhe shumë testime tjera, në mënyrë që në fund të kemi vlerësim sa më objektiv të këtyre talenteve”, ka thënë Nees. Grumbullimi i radhës në kuadër të këtij projekti do të mbahet të dielën në regjionin e Gjilanit.