26 janar, 2020 – Faza e parë e projektit “Elite Youth Development Programme U15” ka vazhduar të dielën në Pejë, me grumbullimin e rreth 40 talenteve nga shkollat dhe klubet e futbollit të Rajonit të Pejës. Fillimisht pjesëmarrësit e këtij grumbullimi i përshëndeti përgjegjësi i projektit, Edmond Rugova, i cili u dha kurajë futbollistëve që të japin më të mirën e tyre. Nga afër këtë grumbullim e ndoqi edhe nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri, i cili para fillimit të ndeshjeve uroi futbollistët për lojëra sa më të mira dhe theksoi se KE i FFK-së është duke i dhënë prioritet zhvillimit të grupmoshave të reja. “Shpesh kam pasur rastin t’iu shoh duke luajtur në ekipet e juaja dhe vërtet jam mahnitur me atë çfarë keni treguar. Jam i bindur se secili prej jush meritoni të prezantoheni edhe në nivele më të larta. Shpresoj se edhe në këtë grumbullim do t’i tregoni vlerat e juaja dhe do ta prezantoni futbollin e këtij rajoni në mënyrën më të mirë. KE i FFK-së në kuadër të strategjisë së vet si prioritetet e ka vendosur zhvillimin e futbollit tek grupmoshat e reja, andaj ky projekt do t’iu shërbejë juve si futbollistë të rinj që ta shfaqni talentin dhe të përparoni edhe më shumë në të ardhmen”, ka thënë Burri para futbollistëve pjesëmarrës të këtij grumbullimi përzgjedhës. Edhe gjatë këtij turneu futbollistët e përzgjedhur nga rrafshi i Dukagjinit shfaqën shkathtësitë e tyre në futboll, me veprime dhe lojë inteligjente teksa u ndoqën me vëmendje të madhe nga trajnerët e këtij projekti, të cilët nuk e patën aspak lehtë që të japin vlerësimet e tyre në formularin e përgatitur për secilin lojtar. Ish-futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës, Shefqet Sinani, i cili po ashtu po e jep kontributin e tij në këtë program theksoi se projektet e tilla ndihmojnë zhvillimin e talenteve dhe daljen e tyre në pah. “Ky projekt është mjaft pozitiv, ngase ka më shumë grumbullime dhe mundësi më të mëdha për futbollistët që talentin e tyre ta shfaqin para trajnerëve. Është një punë ekipore që sigurisht do t’i japë efektet e saj. Deri tash gjithçka po shkon siç duhet dhe shihet se në çdo rajon kemi talente të mjaftueshme, prandaj edhe përzgjedhja e më të mirëve nuk do të jetë punë e lehtë për trajnerët”, ka thënë Sinani. Fundjavën e ardhshme projekti do të vazhdojë në Prizren dhe Gjilan.