8 tetor, 2020 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në gjysmëfinale të “play-off”-it për Kampionatin Evropian nga Maqedonia e Veriut, me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar pa praninë e tifozëve në stadiumin “Tose Proeski” në Shkup. Kësisoj, ëndrra e Dardanëve për pjesëmarrje në “Euro2020”, që është shtyrë për vitin e ardhshëm për shkak të pandemisë, merr fund këtu. Kosova hyri në këtë ndeshje pa boshtin kryesor të ekipit që e kishte bartur barrën kryesore në vitet e fundit. Mungesat e Amir Rrahmanit, Vedat Muriqit, Milot Rashicës e Hekuran Kryeziut lanë gjurmë në lojën e ekipit tonë. Sidoqoftë, minuta e 94-t dhe rasti i humbur nga Fidan Aliti do të mbahet mend gjatë, ngase mund ta përmbyste rrjedhën e takimit dhe të e zgjaste ëndrrën tonë. Në fakt, kur rezultati ishte 2:1 për vendasit dhe po numëroheshin edhe sekondat e fundit të ndeshjes një gjuajtje të fortë të Edon Zhegrovës portieri vetëm e devijoi, derisa Aliti nga afërsia nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë, duke e humbur mundësinë e artë që të shndërrohet në hero duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.
Ndeshja nisi mirë për futbollistët tanë, që bënë trysni drejt portës kundërshtare, por pa gjetur shumë hapësira. Por, pikërisht në momentet kur po sulmonim, rivali na ndëshkoi me një kundërsulm të shpejtë, të cilin e finalizoi në gol Ristovski, gjuajtja e të cilit u devijua nga Kololli. Ky gol nuk i zmbrapsi Dardanët, të cilët vazhduan të ushtrojnë presion dhe në minutën e 29-të pas një keqkuptimi në mbrojtjen maqedonase, Florent Hadërgjonaj gjuajti saktë nga distanca për t’i barazuar shifrat në 1:1. Mirëpo, gëzimi i tanëve nuk zgjati shumë, ngase vetëm katër minuta më pas vendasit e rikthyen epërsinë, kur gjuajtja e Enis Bardhit nga ndërprerja u devijua me kokë nga Velkovski dhe përfundoi në rrjetën e Arjanet Muricit. Në pjesën e dytë me gjithë zëvendësimet e kryera nga Challandes, Dardanët nuk arritën të dalin në lojën e tyre, kjo falë edhe rreshtimit të mirë të mbrojtjes rivale, derisa vendasit u shfaqën mjaft të rrezikshëm në kundërsulme. Në këtë mënyrë në finale u kualifikua Maqedonia e Veriut, e cila në nëntor do të përballet me Gjeorgjinë, derisa për Dardanët tanë mbetet të shpresojmë për një tjetër mundësi në të ardhmen që ta arrijmë suksesin e ëndërruar nga shumë gjenerata.
Në pushimin ndërmjet dy pjesëve u shkëmbyen dhuratat ndërmjet krerëve të dy federatave