12 maj, 2024 – FC 2 Korriku është kurorëzuar me titullin e kampionit në Superligën U19. Klubi kryeqytetas, i cili tash e disa vjet ka arritur suksese me ekipet e grupmoshave, ka rikthyer kësisoj titullin e kampionit edhe për gjeneratën e juniorëve pas 9 vjetësh mungesë. Në ceremoninë e ndarjes së trofeut dhe medaljeve, të organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës pas ndeshjes së 2 Korriku – Llapi, të cilën skuadra prishtinase e fitoi me rezultat 3:1, i pranishëm ishte edhe presidenti Agim Ademi, i cili edhe e ndau trofeun për kampionin e ri të Superligës U19. Medaljet për futbollistët e rinj të 2 Korrikut i ndanë anëtarët e KE të FFK-së, Ismajl Ajeti e Vjollca Krasniqi, si dhe Rexhep Baholli kryetar i klubit. Presidenti Ademi ka përgëzuar FC 2 Korrikun për këtë sukses. “Përgëzoj drejtuesit e klubit, stafin e trajnerëve si dhe futbollistët e rinj të 2 Korrikut për titullin e kampionit në Superligën e juniorëve. FC 2 Korriku në vazhdimësi është shquar si çerdhe talentesh dhe sukeset e tij vijnë si rezultat i punës dhe përkushtimit të madh të drejtuesve dhe trajnerëve të klubit. Urime rikthimi i titullit të kampionit pas 9 vjetësh”, ka theksuar Ademi.