22 maj, 2024 – FC Ballkani ka triumfuar në finalen dramatike të Kupës së Kosovës në futboll, duke mposhtur FC Prishtinën, pas serisë së penalltive, me rezultat 4:2. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas përfundoi me rezultat të barabartë 2:2 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.

Ballkani e nisi fuqishëm ndeshjen, duke shënuar golin e parë në minutën e 21-të përmes Walid Hamidit. Meriton Korenica dyfishoi epërsinë në minutën e 52-të, duke e vënë Ballkanin në një pozicion të favorshëm. Megjithatë, FC Prishtina nuk u dorëzua dhe Albin Krasniqi arriti të barazojë shifrat me dy gola brenda katër minutave. Krasniqi shënoi golin e parë nga penalltia në minutën e 78-të dhe pastaj barazoi në minutën e 82-të, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.

Në këtë periudhë të lojës të dyja ekipet luftuan fort, por nuk arritën të shënojnë golin e fitores, duke e çuar ndeshjen në penallti. Në serinë e penalltive, Albin Krasniqi, i cili ishte heroi në kohën e rregullt, u bë tragjik, pasi gjuajtjen e tij e priti portieri Enea Koliqi. Ardian Muja gjithashtu ishte i pasaktë, duke goditur traversën dhe kësisoj i dha mundësi Ballkanit për festë.

Kësisoj, Ballkani u kurorëzua për herë të parë me Kupën e Kosovës në histori të klubit, duke e mbyllur edicionin me kurorën e dyfishtë, pasi fundjavën e kaluar e siguroi edhe titullin e kampionit në AlbiMall Superligë. Në anën tjetër, FC Prishtina mbeti pa dalje në Evropë, pasi fitorja e portokallezinjve ia mundëson një gjë të tillë Malishevës.

Medaljet për dy ekipet finaliste i ndanë nënkryetarët e FFK-së, Bakir Burri dhe Agim Dibrani, derisa trofeun për kapitenin e Ballkanit, Edvin Kuç e ndau presidenti Agim Ademi.