Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, të martën, në Paris janë takuar me nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Francës, Bernard Desumer. Në këtë takim kryetari Vokrri dhe ministri Krasniqi kanë kërkuar nga FFF-ja, që si një federatë me mjaft ndikim në komunitetin ndërkombëtar të futbollit, përmes përfaqësuesve të saj në UEFA dhe FIFA të ndihmojë që në veçanti çështja e ndeshjeve miqësore për Kosovën të aprovohet sa më shpejtë. Po ashtu ata kërkuan nga FFF-ja që mbështetja të jetë e vazhdueshme në mënyrë që sa më shpejtë Kosova të anëtarësohet me të drejta të barabarta në mekanizmat ndërkombëtare të futbollit. Vokrri e Krasniqi kërkuan nga FFF-ja që të ndikojnë tek kryetari i UEFA-s, Michel Paltini, që vjen nga ky vend, që të lehtësojë pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në garat zyrtare evropiane dhe ndërkombëtare të futbollit. “Për ne, çështja e lejimit të ndeshjeve miqësore tani dhe shumë shpejtë edhe anëtarësimi në UEFA dhe FIFA nuk janë politike, por ato po bëhen të tilla. Ne, kërkojmë që të mos injorohen më sportistët tanë. Të gjitha kërkesat tona janë sportive dhe humane mbi të gjitha. Sportistët tanë duhet të dalin nga ky izolim”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ndërkaq, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri ka folur për aspektet organizative të garave dhe administrimit të Federatës së Futbollit të Kosovçs. Ai ka kërkuar nga FFF-ja që ta ndihmojë FFK-në në zhvillimin profesional, të ngritjes së kapaciteteve, organizimin e seminareve të ndryshme për trajnerë dhe gjyqtarë. Në anën tjetër nënkryetari i FFF-së, Bernard Desumer ka shprehur kënaqësinë për takimin me Ministrin Krasniqi dhe kryetarin Vokrri. Ai u pajtua se është e drejtë e sportistëve nga Kosova të luajnë në gara ndërkombëtare zyrtare dhe për këtë ka premtuar se FFF-ja do të jep mbështetjen e saj. Po ashtu ai premtoi përkrahje edhe në zhvillimin profesional të sportit në Kosovë dhe ngritjes së kapaciteteve.