31 maj, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje nga Kroacia, me rezultat 0:1 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025.
Kosova pati paraqitje të mirë ndaj një kundërtari i cili tashmë është dëshmuar në futbollin e vajzave.
Në pjesën e parë, Dardanet krijuan pak raste pavarësisht tentimeve të njëpasnjëshme, ndërsa ia pamundësuan edhe kundërshtarit një gjë të tillë.
Në minutën e 42-të Kosova mbeti me një futbolliste më pak në fushë, pasiqë Blerta Smaili u ndëshkua me karton të kuq (pas dy të verdhëve), por kjo mungesë nuk pati impakt në ndryshim të rezultatit dhe pjesa e parë përfundoi pa gola.
Në pjesën e dytë, Kosova iu nënshtrua presionit të kundërshtarit dhe si rrjedhojë, në minutën e 58-të Ivana Rudelic shënoi për 0:1 duke e dërguar Kroacinë në avantazh.
Kosova me një futbolliste më pak e pati të vështirë të bëjë kthesë në rezultat dhe kësisoj ndeshja u mbyll me shifrat 0:1.
Kosova ndeshjen kthyese ndaj Kroacisë e zhvillon me të martën me 4 qershor në Karlovac.