19 mars, 2023 – Edhe tri ndeshjet e sotme në kuadër të xhiros së 26-të në Albi Mall Superligën es Kosovës në futboll sollën lojëra interesante dhe emocionuese. Kampioni në fuqi, Ballkani, pas eliminimit në çerekfinale të kupës nga Prishtina, këtë fundjavë nuk arriti të nxjerrë më shumë se sa një pikë si mysafir ndaj Ferizajt (0:0). Kësisoj, pas kësaj jave portokallezinjtë e Suharekës mbesin në pozitën e dytë, me një pikë ngecje ndaj Dritës.

Pa fitues u mbyll edhe përballje ndërmjet Gjilanit dhe Llapit, por këtu të dy skuadrat shënuan nga dy herë. Gjilani kaloi në epërsi qysh në minutën e 4-t, me golin e Dabiqajt. Mirëpo, reagimi i Llapit ishte i shpejtë, pasi baraspeshën e vendosi Augusto, në minutën e 17-të me golin e shënuar nga gjuajtja e lirë. Vendasit arritën ta rikthejnë epërsinë në minutën e 61-të, me golin e Kelmendit, por llapjanët në minutat e fundit të ndeshjes barazuan sërish, kësaj radhe me golin e Riverës.

Ndërkohë, tri pikë tejet të rëndësishme në luftën për mbijetesë i arkëtoi Trepça’89, e cila në stadiumin “Riza Lushta” e mposhti Dukagjinin, me rezultat 2:1. Oyekanmi shënoi golin e parë për Trepçën në minutën e 6-të, duke krijuar një epërsi të hershme për skuadrën e tij. Në pjesën e dytë, Trepça vazhdoi të luante në një nivel të lartë dhe në minutën e 80-të, Muja shënoi golin e dytë. Dukagjini nuk u dorëzua dhe shënoi gol në minutën e 84-t, me anë të Halitit, duke e bërë fundin e ndeshjes dramatik, por minutat e mbetura nuk i mjaftuan për t’iu shmangur humbjes. Të tri ndeshjet e sotme filluan me një minutë heshtje në nderim të ish-futbollistit të njohur mitrovicas, Sadik Rrahmani, i cili ndërroi jetë të dielën.