25 shkurt, 2017 – Me katër ndeshjet e sotme të javës së 18-të ka nisur stinori pranveror në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli ka shënuar fitore me rezultat bindës para tifozëve të vet në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, duke e mposhtur Trepçën, me shifrat 5:1. Golat për Feronikelin i shënuan Labinot Osmani (18’), Mendurim Hoti (51’, 77’), Mark Milicaj (68’) dhe Yll Hoxha (85’), derisa golin e vetëm për Trepçën e shënoi Enis Zabërgja (88’). Fitore para tifozëve të vet shënoi edhe Besa, e cila e mposhti Llapin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshjeje e shënoi Xhevdet Shabani, në minutën e 73-të, kur pas një kundërsulmi të shpejtë, realizoi me gjuajtje nga brendësia e zonës. Ndërkohë, Ferizaj dhe Prishtina e kanë mbyllur duelin e tyre pa gola, edhe pse të dyja skuadrat kanë pasur raste të mira shënimi. Ndërkaq, fitoren e vetme si mysafire në ndeshjet e sotme e realizoi Liria, e cila e mposhti Hajvalinë, me rezultat 4:2. Tre gola për Lirinë i shënoi Liridon Fetahaj (39’, 48’, 80’), kurse me një gol kontribuoi nigeriani Ogemwiye (69’), derisa për Hajvalinë shënuan Edinson Kçiku (45’) dhe Egber Vitia (76’).