10 mars, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 22-të në IPKO Superligë. Feronikeli ka shënuar fitore me rezultat bindës, 3:0 në duel me Gjilanin në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. Kastriot Rexha ka shënuar dy herë (24’, 38’) derisa me një gol kontribuoi Mevlan Zeka (85’). Ndërkohë, Prishtina më vështirë se sa është pritur ka arritur të arkëtojë pikët maksimale si mysafire kundër KEK-ut, me rezultat 2:1. Miftaraj (7’) dhe Dallku (27’-pen) shënuan nga një gol për fitoren e kryeqytetasve, derisa golin e vetëm për “elektricistët” e realizoi Egzon Qerimi (53’). Ndërkaq, ndeshja në stadiumin “Përparim Thaçi” ndërmjet Lirisë dhe Drenicës është mbyllur baras 1-1. Karahoda (22’) realizoi për skuadrën prizrenase, kurse, një pikë kuqezinjve të Skenderajt ua siguroi Pasoma (27’). Ndeshja e fundit e kësaj jave zhvillohet ndërmjet Flamurtarit dhe Ballkanit, në orën 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri“.