31 gusht, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 3-të në IPKO Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli ka shënuar fitore në duel me skuadrën nënkampione, Prishtinën, me rezultat 1:0. Fituesin e ndeshjes në stadiumin “Rexhep Rexhepi” e vendosi goli i shënuar nga Mendurim Hoti, në minutën e 9-të, kur shënoi nga afërsia. Me të njëjtin rezultat para tifozëve të vet ka shënuar fitore edhe Flamurtari, që e ka mposhtur Ferizajn. Golin e fitores së parë në këtë edicion për kuqezinjtë e kryeqytetit e realizoi Egzon Krasniqi, qysh në minutën e parë. Ndërkaq, përballja ndërmjet Llapit dhe Ballkanit, që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” nuk dha fitues e as gola.