Feronikeli dhe Gjilani janë kualifikuar në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës. Skuadra nga Drenasi e drejtuar nga Ramiz Krasniqi e ka mposhtur Trepçën, të premten, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë sfidë e realizoi Emir Rama, në minutën e 79-të, kur pasi iu shmang dy mbrojtësve me gjuajtje nga brendësia e zonës e mposhti Arben Beqirin. I njëjti futbollist pati mundësi për të dyfishuar shifrat në minutën e 84-t, kur gjuajti bukur me kokë, por portieri Beqiri ia mohoi golin. Do theksuar se Trepça e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, pasi Kujtim Kutllovci u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 85-të. Ndërkohë, Gjilani shënoi fitore para tifozëve të vet kundër Ulpianës, me rezultat 2:1. Dje kalimin në çerekfinale e ka siguruar edhe Ferizaj, që e mposhti 2 Korrikun 5:2, derisa skuadrat tjera pjesëmarrëse në këtë fazë të garave do të përcaktohen në ndeshjet e nesërme.