3 tetor, 2018 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 8-të në IPKO Superligë. Feronikeli ka shënuar fitore të rëndësishme në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke e mposhtur Llapin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për skuadrën nga Drenasi e realizoi Astrit Fazliu, pas një kundërsulmi të shpejtë. Feronikeli që nga minuta e 43-të luajti me një lojtar më pak, pasi me karton të kuq u ndëshkua Kastriot Rexha. Me këtë fitore Feronikeli e ka përforcuar pozitën e parë dhe tani ka katër pikë më shumë se Llapi në vendin e dytë. Ndeshje mjaft interesante ishte edhe ajo ndërmjet Lirisë dhe Prishtinës, e cila po ashtu u mbyll me fitore të mysafirëve dhe me rezultat identik. Golin e fitores për bardhekaltrit e kryeqytetit e shënoi Basit Khalid, në minutën e 63-të. Ndërkohë, skuadra kampione në fuqi, Drita, ende nuk po arrin ta rimarrë veten nga rezultatet e dobëta në këtë edicion. Kësaj radhe kampionët barazuan në shtëpi me Trepçën’89, me shifrat 1:1. Të parët në epërsi kaluan gjilanasit me golin e Xhevdet Shabanit, në minutën e 18-të, por shifrat i barazoi Mircevski, në minutën e 66-të. E befasinë e kësaj jave e përgatiti skuadra e KEK-ut, e cila arriti ta arkëtojë pikën e parë në këtë edicion, duke barazuar në shtëpi me Ballkanin, 2:2. Kjo javë mbyllet me ndeshjen ndërmjet Flamurtarit dhe Gjilanit, që do të zhvillohet nesër.