18 qershor, 2019 – Dy skuadrat tona që do të paraqiten në garat evropiane, Feronikeli dhe Prishtina, i kanë mësuar kundërshtarët e radhës në Ligën e Kampionëve, përkatësisht në Ligën e Evropës, në rast se paraprakisht arrijnë të kalojnë me sukses rrethin paraeliminator.

Skuadra kampione, Feronikeli, e cila në rrethin paraeliminator i cili do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në gjysmëfinale do të ballafaqohet me Lincoln Red Imps, më 25 qershor, derisa në rast fitoreje në finale tre ditë më vonë do të luajë me fituesin e ndeshjes SP Tre Penne – Santa Coloma. Nëse arrin ta fitojë këtë rreth paraeliminator, atëherë skuadra nga Drenasi në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve do të ballafaqohet me skuadrën kampione të Uellsit, TNS.

Ndërkohë, skuadra nënkampione, Prishtina, në rast se në rrethin paraeliminator arrin ta mposhtë skuadrën nga Gjibraltari, St Joseph’s, atëherë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, do të përballet me skuadrën e njohur skoceze, Rangers, e cila drejtohet nga Steven Gerard.