8 shtator, 2017 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para në kuadër të javës së 3-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Llapi pas dy fitoreve të realizuara në javët e para, sot, ka barazuar para tifozëve të vet në stadiumin “Zahir Pajaziti” kundër Gjilanit, me rezultat 1:1. Të parët në epërsi kaluan llapjanët, me golin e shënuar nga Miran Maksuti, në minutën e 47-të. Megjithatë, gjilanasit arritën të barazojnë shifrat në minutën e 71-të, me golin e Betim Haxhimusës. Në ndeshjen tjetër, Feronikeli me mjaft vështirësi e mposhti Besën, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 2:1. Pejanët kaluan të parët në epërsi, me golin e shënuar nga Altin Mërlaku, në minutën e 55-të. Mirëpo, skuadra nga Drenasi arriti të kthejë shpejt baraspeshën në rezultat, kur pas vetëm pesë minutash realizojë Granit Arifaj. Ndërkohë, në minutën e 81-të Feronikeli realizoi edhe golin e fitores, të cilin e shënoi Qemail Elshani nga afërsia, për të cilin gol mysafirët protestuan për pozitë jashtë loje.