feronikeliFeronikeli  e ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive, duke e regjistruar fitoren e shtatë në këtë edicion. Skuadra e drejtuar nga Gani Sejdiu, të premten, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në ndeshjen hapëse të javës së 13-të e ka mposhtur Istogun, me rezultat 3:1. Kjo fitore ia ka mundësuar skuadrës nga Drenasi, që ta përforcojë pozitën e parë në renditje, pasi tashmë ka 25 pikë, katër më shumë se ndjekësja më e afërt, Trepça’89, e cila të shtunën është mysafire e Ferizajt, ndërkaq Istogu mbetet në pozitën e 8-të, me 15 pikë. Në pjesën e parë të dyja palët paraqitën lojë të mirë, por nuk e gjetën rrugën e golit, derisa në pjesën e dytë rrjetat u tundën katër herë. Të parët shënuan mysafirët nëpërmjet Granit Bajrës. Megjithatë, futbollistët e Feronikelit arritën të kthehen shpejt në rezultat dhe t’i sigurojnë tri pikë të rëndësishme, me golat e Isa Eminhazerit, Lapidar Lladrovcit dhe Përparim Livorekës.