19 maj, 2019 – Feronikeli është kampion i ri në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra nga Drenasi ka shënuar fitore në ndeshjen përcaktuese në kuadër të javës së fundit të kampionatit kundër Prishtinës, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, me rezultat 1:0. Golin e fitores për Feronikelin e realizoi Yll Hoxha, në minutën e 73-të. Skuadrës së drejtuar nga Zekirja Ramadani i mjaftonte edhe barazimi në këtë duel, derisa për Prishtinën duhej patjetër fitorja. Megjithatë, duket se rëndësia e madhe e kësaj ndeshje bëri që asnjëra prej skuadrave të mos tregojë lojën e pritur, por që në fund ishin vendasit ata që e arritën atë që e synuan, duke u kurorëzuar me titullin e kampionit. Për Feronikelin ky është titulli i tretë në histori dhe do të jetë pikërisht kjo skuadër që do ta përfaqësojë Kosovën në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, që për herë të parë UEFA ia besojë organizimin FFK-së.
Të pranishëm në ndeshjen e zhvilluar në Drenas krahas presidentit të FFK-së, Agim Ademi ishte edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e të cilët në fund e bënë edhe ndarjen e medaljeve dhe të trofeut për skuadrën kampione.
Ndërkohë, sot janë zhvilluar edhe ndeshjet e tjera, ku janë përcaktuar edhe skuadrat që do të luajnë në barazh, e ku mbetjen në elitë nëpërmjet barazhit do të jenë të detyruara ta kërkojnë Gjilani dhe Trepça’89, derisa siç dihet nga elita kanë rënë Liria dhe KEK-u. Inkuadrimin në Superligë për edicionin e ardhshëm e kanë siguruar Vushtrria dhe Dukagjini, derisa Besa dhe Vëllaznimi e synojnë një gjë të tillë nëpërmjet ndeshjeve të barazhit.