Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 24-t në Raiffeisen Superligë. Feronikeli ka shënuar fitore si mysafir kundër Dritës në Gjilan, me rezultat 2:0 dhe tashmë kryeson i vetëm me 47 pikë. Të dy golat për Feronikelin i shënoi Haxhi Shala, në minutat 70-të dhe 73-të. Ndërkohë, Hajvalia ka pësuar humbje, me rezultat të thellë, 3:0 në Prizren kundër Lirisë. Serinë e golave e hapi Blendi Memaj, në minutën e 7-të. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e dytë, vetëm 10 minuta më vonë, derisa rezultatin përfudimtar e vulosi Liridon Fetahaj, në minutën e 58-të. Fitore tejet të rëndësishme realizoi Prishtina, duke e mposhtur Llapin, në kryeqytet, me shifrat 3:1, duke regjistruar suksesin e tretë radhazi. Golat për Prishtinën i shënuan Berat Hyseni (9’), Gentrit Begolli (21’) dhe Shend Kelmendi (84’), derisa golin e vetëm për Llapin e realizoi Enis Zabërgja (32’). Tri pikë në shtëpi i ka arkëtuar edhe Trepça’89, e cila e mundi Drenicën, me rezultat 2:0, me golat e Ersen Asanit (70’) dhe Adeleke Akiynemi (88’), sikurse edhe Istogu që arriti të marrë tri pike shpresëdhënëse në duel me Besën në shtëpi, me golin e Fatlum Gashit, në minutën e 67-të.