22 tetor, 2019 – Skuadra e Feronikelit është kthyer te fitorja pas dy humbjeve dhe një barazimi, pasi e ka mposhtur Vushtrrinë në stadiumin “Ferki Aliu”, me rezultat 1:0, në kuadër të javës së 11-të në Ipko Superligë. Megjithatë, kampionët në fuqi deri te arkëtimi i tre pikëve në udhëtim kanë arritur me mjaft vështirësi me golin e shënuar vetëm në minutat shtesë të ndeshjes, kur Besmir Bojku realizoi nga afërsia pas një gjuajtje nga këndi të mysafirëve. Me këtë fitore skuadra nga Drenasi ngjitet në pozitën e pestë me 19 pikë, ndërsa Vushtrria mbetet e fundit me vetëm 6 pikë të grumbulluara pas 11 ndeshjeve të zhvilluara.