15 prill, 2017 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 26-të në Vala Superligë. Kampioni në fuqi, Feronikeli, ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafir në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë në përballje me Trepçën, me rezultat 3:1. Feronikeli kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Abu Razard, në minutën e 33-të me gjuajtje me kokë. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e dytë, kur shfrytëzoi një harkim të Yll Hoxhës për të realizuar sërish me kokë për 2:0. Trepça arriti ta ngushtojë përkohësisht epërsinë e mysafirëve në minutën e 74-t, kur Enis Zabërgja realizoi pas harkimit të Hajdinit. Mirëpo, vetëm katër minuta më vonë mysafirët u kundërpërgjigjen duke shënuar golin e tretë nëpërmjet Labinot Osmanit. Nga minuta e 80-të Feronikeli mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Mark Milicajt me kartonin e kuq, por këtë epërsi numerike në fushë nuk arritën ta shfrytëzojnë vendasit në minutat e mbetura. Në ndeshjen tjetër nuk pati fitues, pasi Gjilani dhe Llapi luajtën baras 1:1. Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 25-të me golin e Zgjim Mustafës, që shënoi pas harkimit të Armend Thaçit, derisa baraspeshën në rezultat e ktheu Florim Bërbatovci nga penalltia në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë, pasi paraprakisht u ndalua në mënyrë të palejueshme brenda zonës nga Ylber Kastrati.
Vala Superliga
Trepça – Feronikeli 1:3
Gjilani – Llapi 1:1
Liga e Parë
2 Korriku – Flamurtari 1:0
Fushë Kosova – Ballkani 2:0
Liga e Dytë – Grupi A
Australia – Dukagjini 3:0
Luftëtari – Rilindja e Kosovës 0:1
Superliga Juniorët
Vëllaznimi – Ramiz Sadiku 2:1
Drenica – 2 Korriku 2:2
Liga e Parë Juniorët
Ferizaj – Fushë Kosova 1:0
Liga e Kadetëve
Drita – Llapi 3:3
Liria – Drenica 1:0
Feronikeli – Hajvalia 2:1
Prishtina – Ferizaj 0:3
Femrat
Llapi – Bazeli 1:3
Vizioni – 13 Qershori 2:6