6 nëntor, 2019 – Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli ka shënuar fitore  si mysafire në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në përballje me Prishtinën, në kuadër të javës së 14-të, me rezultat 3:2, duke u rikthyer te triumfi pas dy humbjeve radhazi. Skuadra nga Drenasi dy herë ishte në disavantazh, por në fund arriti t’i gëzohet fitores.  Prishtina kaloi në epërsi në minutën e dytë, kur Ahmed Januzi shënoi nga penalltia. Vetëm dy minuta më pas Feronikeli barazoi shifrat po ashtu nga penalltia me gol të Jean Carioca Da Silva-s. Prishtina e riktheu epërsinë në fillim të pjesës së dytë, teksa realizoi me kokë Diar Miftaraj. Mirëpo, as ky gol nuk i demoralizoi kampionët në fuqi, të cilët fillimisht në minutën e 59-të e barazuan rezultatin me golin e Lapidar Lladrovcit, derisa në minutën e 88-të Jean Carioca Da Silva e shënoi golin e fitores. Pas kësaj fitoreje Feronikeli ngjitet në pozitën e gjashtë, me 22 pikë, derisa Prishtina mbetet në pozitën e katërt, me 24 pikë.