2 mars, 2019 – Kryesuesi i renditjes në IPKO Superligë, Feronikeli, ka shënuar fitore si mysafir në javën e 20-të në duel me skuadrën e fundit në renditje, KEK-un, me rezultat të ngushtë, 1:0. Golin e fitores për skuadrën nga Drenasi e realizoi Kastriot Rexha, në minutën e 40-të. Ndeshje mjaft interesante ishte ajo në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku Llapi arriti ta mposhtë Prishtinën, me rezultat 1:0, për të mbetur edhe më tutje në garë për titull. Fituesin në këtë ndeshje e përcaktoi goli i Ahmet Jonuzit, në minutën e 47-të, i cili kësisoj e ndëshkoi ish-skuadrën e tij. Ndërkohë, Trepça’89 shënoi fitore tejet të rëndësishme në duel me Flamurtarin, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin  “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:0. Golat për Trepçën’89 i shënuan Herman, në minutën e 49-të dhe Diawara, në minutën e 86-të.