hajvalia-feronikeli28 tetor, 2016 – Skuadra e Feronikelit, ka shënuar fitoren e tetë në këtë edicion në Vala Superligë. Kampioni në fuqi, sot, në Kizhnicë, ka arritur të mposhtë Hajvalinë, në ndeshjen hapëse të javës së 11-të,  pas një ndeshje mjaft interesante, me rezultat 3:2. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Mentor Zhdrellës, në minutën e 11-të pas asistimit të Blerand Kurtishajt. Mirëpo, vetëm një minutë më vonë Hajvalia e barazoi rezultatin, kur Behar Maliqi devijoi topin në rrjetën e portës së tij. Skuadra nga Drenasi e riktheu epërsinë në minutën e 35-të, kur Blerand Kurtishaj realizoi nga afërsia, por sërish gëzimi i mysafirëve nuk zgjati shumë, ngase dy minuta më vonë Etrit Halimi shfrytëzoi një gabim të Behar Maliqit, për të barazuar shifrat 2:2. Pjesën e dytë mysafirët e nisën rrufeshëm dhe qysh në minutën e 49-të shënuan golin e tretë, që në fund doli të ishte gol i fitores, ngase Hajvalia më nuk pati forcë për të ndryshuar shifrat, ndonëse pati disa mundësi shënimi. Pas kësaj fitoreje Feronikeli ngjitet në pozitën e dytë, me 24 pikë, ku do të qëndrojë së paku deri të dielën kur Prishtina, e cila ka 23 pikë do të luajë në Gjilan kundër Dritës.