kosova-shqiperia1Ndeshja miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e cila u zhvillua sot në stadiumin e stërmbushur në Prishtinë, ka përfunduar pa fitues, me rezultat të barabartë, 2:2. Megjithatë, loja e të dyja skuadrave, sidomos ajo e Kosovës bëri që të gjithë tifozët e pranishëm të ndahen të kënaqur jo vetëm me golat, por edhe me kreativitetin dhe spektalin e treguar. Loja që shfaqën djelmoshat e përzgjedhësit Albert Bunjaki kundër një skuadre shumë të fortë si Shqipëria, e cila vitin e ardhshëm do të jetë pjesëmarrëse në Euro 2016, dëshmoi edhe një herë se tashmë themelet e Përfaqësueses së Kosovës janë vendosur dhe e ardhmja do të jetë e ndritur. Në tribuna emocionet ishin të mëdha, ku në vazhdimësi u duartrokitën edhe futbollistët e kombëtares shqiptare. Ndeshjes i parapriu një kordon i krijuar nga futbollistët e Kosovës për t’ua mundësuar futbollistëve kuqezi të bënin paradën e nderit për kualifikimin historik në Evropian dhe më pas fotoja e përbashkët, që pa dyshim do të mbetet si njëra nga dhuratat më të mira në karrierën e futbollistëve të dyja skuadrave. Po ashtu para ndeshjes Debatik Curri dhe Armend Dallku i dhanë lamtumirën kombëtares shqiptare, derisa më pas nga një fjalim para të pranishmëve e mbajtën kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani dhe ai i Shqipërisë, Lorik Cana.
Ndeshja nisi me aksionin e parë të rrezikshëm të kuqezinjve, kur Memushaj gjuajti pran portës. Pikërisht në këtë aksion u lëndua Ilir Berisha, i cili nuk ishte me fat dhe u detyrua që ta braktisë fushën dhe të shkojë për ekzaminime më të thella, duke mos pasur mundësi ta shijonte deri në fund spekaklin e kësaj ndeshjeje. Një tjetër mundësi Shqipëria e pati nëpërmjet Elseid Hysajt në minutën e 18-të, por gjuajtja e tij nuk ishte e rrezikshme për Ujkanin. Rasti më i mirë vjen në minutën e 22-të për Kosovën, me Celinën që kombinon me Halimin për të dalë para Berishës me portierin që bën një devijim fantastik. Tjetër rast i pastër për Përfaqësuesen e Kosovës ndodhi në të 39-tën me Mërgim Brahimin që spostohet në qendër dhe lëshon një goditje të fortë, por që ndalet nga traversa. Pjesën e dytë Kosova e nisi më mirë ku në minutën e 49-të Celina dha një asist për Halimin që nuk arriti të devijojë topin drejt rrjetës. Ndërkohë, në minutën e 55-të Rej Manaj, po sa u inkuadrua në lojë arriti të shënojë për ta çuar Shqipërinë në epërsi. Mirëpo, vetëm tre minuta më vonë Kosova e barazoi rezultatin nga penalltia nëpërmjet Besart Celinës, pasi paraprakisht Xhaka luajti me dorë brenda zonës, 1:1. Kosova vazhdoi me lojë të mirë dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 71-të, kur pak pasi hyri në lojë shënoi Elbasan Rashani, që pasi e kaloi Rrahmanin e gjeti hapësirën e duhur për në portën e Etrit Berishës. Mirëpo, Shqipëria reagoi shpejt dhe vetëm pas dy minutash Amir Rrahmani u gjet mirë në tollovinë e krijuar në zonë dhe e çoi topin në rrjetë për të vulosur shifrat përfundimtare, 2:2.
 
Kosova: Ujkani (Bekaj), Perdedaj (Markaj), Berisha (Pnishi), Sadiku, Paqarada, Alushi (Pepa), Zejnullahu (Kryeziu), Halimi, Brahimi (Rashani – Sylejmani), Berisha (Hasani), Celina.
Shqipëria: Berisha (Shehi), Hysaj, Rrahmani (Lila), Cana (Ajeti), Gjimshiti (Veseli), Aliji, Basha (Lenjani), Memushaj (Roshi), Xhaka (Lilaj), Cikalleshi (Manaj), Sadiku (Shala).
vokrri-duka-curri-dallku
kosova shqiperia
kosova-shqiperia2 kosova-shqiperia5 tifozet kosova-shqiperia4 kosova-shqiperia3 kosova-shqiperia6 kosova shqiperia cana-ujkani-gjyqtaret