3 maj, 2024 – Federata e Futbollit e Kosovës së shpejti pritet ta vazhdojë procesin e digjitalizimit të sistemit të garave dhe të administratës përmes një bashkëpunimi me Federatën e Arabisë Saudite. Në fakt, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sot ka pritur Mohamed Soltan, drejtor për Teknologji e Inovacion në Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite. Vizita e tij në FFK ka të bëjë me fillimin e bashkëpunimit lidhur me sistemin elektronik ‘MySAFF’ të zhvilluar nga Federata e Arabisë Saudite, e që është implementuar gjithashtu nga federata tjera botërore. Soltan, në Kosovë shoqërohet nga kolegu i tij, Dhafer Alshehri, menaxher për teknologji në Federatën e Arabisë Saudite. Ata do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën, e ku do të mbajnë takime edhe me departamentet e FFK-së. “MySAFF” është ekosistemi digjital, ku përfshihen: sistemi i regjistrimit të lojtarëve, sistemi i garave si dhe sisteme të tjera që mundësojnë vazhdimin e mëtutjeshëm të digjitalizimit të FFK-së.