fazliberisha-erollsalihu-agimademiSot më 9 mars në Shtëpinë e  Sporteve u bë shpërndarja e topave, për grupmoshat e reja të ekipeve të Superligës, Ligës së parë dhe 7 rajonet e FFK-së. Me këtë rast nënkryetari i FFK-së, z. Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm z. Eroll Salihu, kanë përshëndetur përfaqësuesit e klubeve dhe kryetarët e rajoneve. Në fjalën e tij të rastit nënkryetari Agim Ademi, theksoi: “Ne sot do të bëjmë shpërndarjen e topave donacion nga Federata Kroate e Futbollit , përkatësisht angazhim i vet kryetarit të saj Davor Shuker i cili është edhe anëtar i KE të UEFA-s dhe një përkrahësi yni i madh, për çka ne e falënderojmë shumë dhe jo vetëm për këtë, por Federata Kroate dhe vet kryetari Shuker, që është mik edhe i kryetarit Vokrri ka shprehur gatishmërinë të na ndihmojë në të gjitha segmentet e nevojshëm  sidomos në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, ku tash kemi nevojë më së shumti. Me gjithë dëshirën që të flasim vetëm për zhvillimet pozitive, për përpjekjet tona që të bëhemi sa më parë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, për detyrat dhe sfidat që na presim jemi të detyruar që të reagojmë me arsye, sepse konsiderojmë se jo të gjithë po i gëzohen këtyre  sukseseve duke marrë për bazë që me çdo kusht po orvaten të baltosin çdo të arritur, duke emërtuar edhe bashkëpunimet tona me federata si logjikë lypësie. Askush në FFK nuk e ka bërë lajmin për shpërndarjen e këtyre topave si lajm të jashtëzakonshëm, por nuk mund ta kalojmë pa e bërë të njohur opinionin dhe për t’i falënderuar ata që duan ta ndihmojnë FFK në çfarëdo mënyre. Mund ta merrni me mend se deri ku kanë degraduar këta njerëz.  Ne i ruajmë dhe i respektojmë miqtë tanë. Kjo është virtyt dhe mirësjellje e shqiptarëve. Dikujt kjo nuk po i pëlqyeka. Kritikat vijnë nga ata që për vite të tëra e kanë bojkotuar çdo kuvend të FFK-së dhe në anën tjetër dalin në mediumet e tyre e shtiren sikur po ndihmojnë FFK-në. Ata përpiqen të pastrojnë oborrin e huaj, dhe sikur po harrojnë se klubin e tyre FC”Prishtina”,  e kanë vënë në pozitë si kurrë më keq prej ekzistimit të tij, që dikur ishte krenaria e shqiptarëve. Me të drejt pyesim, prej kur shqiptarët nuk i falënderojnë miqtë, sipas tyre duhet fyer. Pyesim për çfarë lobimi bëhet fjalë dhe për kë, kur për vite nuk janë dukur në zyrat e FFK-së dhe nuk kanë marrë pjesë me asnjë gjë që ta ndihmojnë punën tonë dhe të jenë pjesë aktive e zhvillimeve në FFK. Pyesim vallë argatin e kujt po e bëjnë dhe për kë?  Pavarësisht këtyre, ne do të vazhdojmë të ecim tutje. Do të shkojmë tutje deri në përmbushjen e synimeve tona dhe nuk kemi kohë të dëgjojmë anash klithmat e atyre që nuk ia duan të mirën futbollit të Kosovës, por e përdorin sa për të tërheqë vëmendjen për veten e tyre. Ne falënderojmë të gjithë ata që në mënyrë të sinqertë na ndihmojnë dhe japin kontributin e tyre për të mirë e futbollit të Kosovës. Duhet ta bëjmë të qartë se FFK-ja po punon dhe po bashkërenditë veprimet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Derisa kryetari Vokrri është duke  kërkuar mbështetje nga të gjitha federata, në Kosovë, FFK-ja po angazhohet për të pasur takim me ambasadorët e shteteve të Evropës në Kosovë, në mënyrë që t’u kërkohet ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre tek federatat e tyre dhe të sigurohet mbështetje e gjerë para Kongresit të UEFA-s në maj të këtij viti”.
Do theksuar se ekipet e Supeligës kanë marrë nga 15 topa, ato të Ligës së parë nga 10, ndërsa secili rajon do të marrë nga 15 topa. Përfaqësuesit e klubeve dhe të Lidhjeve rajonale të futbollit kanë falënderuar FFK-na dhe Federatën kroate për këtë donacion në këtë kohë kur të gjithë kanë ende nevojë për përkrahje.
agimademishperndarjaetopave shperndarjaetopave agimademishperndarjaetopave1