15 prill, 2024 – Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Ligës së Parë, Banka Raiffeisen, kanë nisur vizitat tek klubet e kësaj kategorie.
Banka Raiffeisen përpos ndihmës financiare për këto klube, ka ofruar edhe kanale të reja për pagesa të tyre, duke kontribuar kësisoj në digjitalizimin e klubeve.
Vizitat filluan në klubet e regjionit të Prishtinës, për të vazhduar ditëve në vijim edhe tek klubet në regjione tjera.
“Për këtë sezon Banka Raiffeisen është sponsor i Ligës së parë të futbollit. Ne kemi qenë përkrahës të sportit, veçanërisht të futbollit, për shumë vite, dhe tash e kemi parë të rrugës që fokusin tonë ta vëmë në Ligën e parë. Përveç ndihmës financiare, ne, po mendojmë që t’i vizitojmë të gjitha klubet e Ligës së Parë në Kosovë. Sot jemi në regjionin e Prishtinës ku do të vizitojmë të gjitha ekipet e këtij rajoni dhe do të mundohemi të ndihmojmë me anën e digjitalizimit të këtyre ekipeve, duke ofruar produktet tona digjitale që janë një kanal shtesë për pranimin e shërbimeve dhe kryerjen e punëve në mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë”, ka theksuar Flaka Çitaku nga Raiffeisen Bank.
Futbollistët e kanë vlerësuar lart sponsorizimin e Bankës Raiffeisen, jo vetëm si ndihmë financiare drejtë zhvillimit të mëtutjeshëm por edhe në aspektin e imazhit.
“Për mua si futbollist dhe për kolegët e mi është një hap shumë i madh sepse e ka ngritur nivelin e ligës tonë si në aspektin financiar, si me emrin që e ka. Është rritur cilësia si nga ana financiare si nga ana e lojtarëve për shkak të ngritjes të financave. Niveli i Ligës së Parë është shumë i afërt me Superligën”, ka theksuar Adonis Zeqiri futbollist i KF “Ramiz Sadiku”.
“Kjo është shumë e nevojshme për klubet dhe futbollistët. Ndihmon klubet për pagesat e futbollistëve dhe padyshim rritet vlera e ligës me përkrahjen e sponsorit”, është shprehur Shqiprim Kelmendi futbollist i FC “2 Korriku”.
“Besoj që kjo është një marrëveshje shumë e mirë. Raiffeiseni është një markë botërore dhe kjo përkrahje është në të mirën tonë”, ka theksuar Veton Kabashi futbollist i FC “Flamurtari”.