31 mars, 2024 – Në kuadër të identifikimit dhe zhvillimit të talenteve të reja jashtë vendit, Federata e Futbollit e Kosovës për të shtatin vit radhazi ka organizuar Kampin seleksionues të talenteve në Gjermani. Këtë vit, kampi po mbahet në Saarbrucken, ku janë përfshirë 110 fëmijë nga Evropa, SHBA dhe Kanadaja.

Kampi ka filluar më 29 mars dhe do të zgjasë deri më 3 prill, duke ofruar një platformë të rëndësishme për zhvillimin e futbollistëve të rinj.

Talente nga grupmoshat U16, U17, U18 dhe U20 po marrin pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm, e ku trajnerët e ekipeve Kombëtare të Kosovës janë angazhuar në punën me këta talente, me synimin për të identifikuar lojtarët më të mirë, të cilët në të ardhmen do të mund t’i bashkohen ekipeve zinxhir të kombëtares.

Ky aktivitet njëherësh reflekton përkushtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për t’i dhënë hapësirë dhe mundësi të barabarta të gjitha talenteve për përfshirje në ekipet kombëtare.