22  janar, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është e përkushtuar maksimalisht në përmirësimin e infrastrukturës në veçanti dhe për fillim do të investojë për skuadrat e Vala Superligës dhe më herët  KE kishte marrë vendim që të vizitojë të gjitha komunat me qëllim të investimit të përbashkët e ku do të përfshihej edhe MKRS. Së këndejmi sot presidenti i FFK-së bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u takuan me kryetarët komunave, klubet e të cilave zhvillojnë garat e tyre në  Vala Superligën e Kosovës. Takimi trepalësh ishte mjaft i frytshëm sepse u arrit marrëveshje që të ndërtohen 12 fusha ndihmëse me bari sintetik për klubet e Vala Superligës në futbollin e Kosovës. Këto fusha do të ndërtohen në qytetet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Podujevës, Skenderajt, Drenasit, Gjakovës dhe Vitisë. Sipas këtij projekti MKRS-ja do të investojë 1,2 milionë euro, nga 100 mijë euro për secilën fushë ndihmëse. Ky investim kapital në tërësi do të ketë vlerën e tre milionë eurove ku FFK-ja do të investojë në secilën fushë ndihmëse nga 120 mijë euro, ndërsa komunat përkatëse do të investojnë nga 30 mijë euro në këto fusha. Një fushë ndihmëse do të ketë vlerën financiare prej 250 mijë euro. Presidenti Fadil Vokrri, tha se ndërtimi këtyre fushave do ta përmirësonte dukshëm gjendjen në infrastrukturë si dhe do të ndihmonte shumë në mbarëvajtjen e garave sidomos në kohën kur moti mund të jetë i keq dhe do të bënte të mundur pa problem  zhvillimin e ndeshjeve. Për realizimin e këtij projekti do të nënshkruhen Memorandumet trepalëshe, ku secila palë do të marrë obligimet që i takojnë sipas marrëveshjes.