16 qershor 2018 – Me një minutë heshtje në nderim të presidentit tashmë të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, ka nisur ceremonia e promovimit të logos së re të FFK-së si dhe sponsorit të ri teknik për veshmbathje “14 Fourteen” nga Zvicra. Para të pranishmëve znj. Diturie Hoxha, udhëheqëse e marketingut dhe komunikimit me publikun ka prezantuar logon re që tash e tutje do të jetë në përdorim nga ana e FFK-së. Duke i përshëndetur familjen e ish-presidentit Fadil Vokrrit, drejtorin ekzekutiv të kompanisë “14 Fourteen”, z. Andrea Picciau dhe të pranishmit e shumtë, nënpresidenti i FFK-së, z. Agim Ademi duke shprehur edhe njëherë ngushëllimet për familjen e presidentit Vokrri, bashkëpunëtorëve dhe gjithë të tjerëve, ka thënë se është një obligim i dyfishtë i KE dhe të gjithë neve që ta ndjekim rrugën dhe vizionin e ish-presidentit Vokrri dhe ne jemi zotuar që ta çojmë vizionin e tij përpara. Tutje nënpresidenti Ademi ka thënë se sponsori i ri teknik ishte meritë dhe punë e z. Vokrri, ndaj ne sot vetëm po e vëjmë në zbatim. Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i kompanisë “14 Fourteen”, z. Andrea Picciau, ka thënë se po aq sa ndjehet i nderuar që gjendet në Kosovë, aq ndjehet i pikëlluar për mungesën e z. Vokrri dhe dua të ju shpreh ngushëllimet mia familjes së z. Vokrri, bashkëpunëtorëve dhe mbarë shqiptarëve. Jam i nderuar që pata rastin të takojë dhe të nisë bashkëpunimin me një njeri kaq të veçantë siç ishte Vokrri. Sikur që ju jeni një shtet i ri edhe ne jemi një kompani e re dhe besoj se së bashku mund të bëjmë gjëra të mira. Në vazhdim z. Picciau, ka shpjeguar në hollësi para të pranishmëve dizajnin e fanellave të reja që tash e tutje do t’i bartin të gjitha ekipet kombëtare në të dyja konkurrencat. Në përmbyllje edhe njëherë ka folur nënpresidenti i FFK-së z. Adem Ademi, duke theksuar se kohëve të fundit fokusi i ish-presidentit Vokrri ka qenë te ekipet kombëtare dhe i është gëzuar shumë sukseseve të fundit të Kombëtares A, prandaj unë besoj dhe shpresoj, tha ai, se të gjithë ne, e veçmas futbollistët të kenë një obligim të shtuar që ta bartin me krenari fanellat dhe të shënojnë rezultate të mira, pasi vetëm kështu mund t’ia kthejmë borxhin ish presidentit Vokrri. Ndërkaq ne si KE jemi të obliguar dhe jemi zotuar që të gjitha projektet e nisura dhe ato që të pasojnë në vazhdim e që janë të shumta t’i realizojmë për ta çuar amanetin e tij në vend. FFK-ja duke nderuar një mik të presidentit Vokrri, z. Fatmir Kuqi ja dhanë mundësinë që fanellën e parë me numrin 9 t’ia dorëzojë djalit të presidentit z. Gramoz Vokrrit, ndërkaq nënpresidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu ua dorëzuan nga një fanellë, futbollistëve të Kombëtares “A” Edon Zhegrovës dhe Herolind Shalës si dhe futbollisteve të Kombëtares “A” femrave, Edona Kryeziu, Florentinë Kolgecit e Kaltrinë Biçkajt, sikur edhe dy fanella ua dorëzuan njërën për Getta Beçajn dhe një për pop-starin Trim Ademi (Capital T). Në fund të pranishmit vizituan dhomën ku ishin ekspozuar të gjitha llojet dhe ngjyrat e fanellave dhe u organizua një koketej për mysafirë.
<
a href="http://federata.bega07.com/wp-content/uploads/2018/06/NIM2727.jpg">