23 korrik, 2018 – Me vënien e luleve të freskëta dhe homazhet të varri i ish presidentit të FFK-së dhe legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, nga ana e presidentit të FFK-së z. Agim Ademi bashkë me anëtarët e KE dhe bashkëpunëtorët e FFK-së nisën shënimet për nderim të ish presidentit, dhe datëlindjes së tij të 58-të. Edhe njëherë pranë varrit të tij u theksua boshllëku që ka lënë dhe se FFK-ja do të jetë mirënjohëse për gjithë atë që ka bërë për futbollin e Kosovës duke qenë të vendosur që rruga dhe vizioni i tij për zhvillimin e futbollit të Kosovës  të vazhdojë me përkushtim.

 
Llapi dhe shokët e gjeneratës së Vokrrit në Podujevë me një ndeshje shënojnë datëlindjen

Llapi dhe qytetarët llapjan të mbledhur sot në stadiumin “Zahir Pajaziti”, kanë nderuar bashkëvendësin e tyre legjendën e futbollit Fadil Vokrri, i cili hapat e parë të lojës së futbollit i mësoi pikërisht të skuadra KF”Llapi”, për të vazhduar më vonë në klubin më të trofeshëm të Kosovës, FC ”Prishtina”. Prandaj veteranët e KF”Llapi” dhe shokët e skuadrës së FC ”Prishtina”, në nderim të figurës së Fadil Vokrrit duke shënuar datëlindjen e tij të 58-të, zhvilluan një ndeshje revyale. Para fillimit të ndeshjes të pranishmit mbajtën një minutë heshtje, ndërkaq duke ju drejtuar të pranishmëve i pari i komunës së Podujevës z. Agim Veliu edhe njëherë ka lartësuar figurën e ish presidentit Vokrri, duke thënë se ai ishte një ikonë e Llapit dhe e mbarë Kosovës. Bashkë me Vokrrin nisëm edhe këtë projekt të këtij stadiumi e ai iku në amshim dhe neve na mbetet të vazhdojmë rrugën e tij. Ndërkaq, presidenti i FFK-së z. Agim Ademi, i cili në Podujevë po shoqërohej nga anëtarët e KE dhe sekretari i përgjithshëm z. Eroll Salihu theksoi para një numri të madh të shokëve, miqve,  e qytetarëve llapjan, se figura e ish presidentit Vokrri është aq komplekse e shndërruar në legjendë sa ka tejkaluar kufijtë e Kosovës dhe krejt këto të arritura që ne sot i gëzojmë janë meritë e tij me bashkëpunëtor. Dhe presidenti Vokrri jo vetëm që na bëri pjesë të familjeve botërore UEFA-s dhe FIFA-s, por e ndërtoi edhe një federatë moderne dhe profesionale. Ndaj unë sot zotohem se bashkë me KE do të vazhdojë rrugën e nisur nga ai me një vendosmëri. Në fund presidenti Ademi kërkoi që ish presidenti të nderohet me një minutë duartrokitje.

“Dardanët” me koreografi speciale nderojnë figurën e legjendës Vokrri

 Grupi i adhuruesve “Dardanët” të prirë nga kryetari Lulzim Berisha, familjarët e ish presidentit Vokrri, djemtë Gramozi e Alberti, KE i FFK-së në krye me presidentin Agim Ademi në mbrëmje bën homazhe dhe vunë lule të freskëta mbi varrin e ish presidentit Vokrri. Ndërkaq, në fund presidenti i FFK-së z. Ademi edhe një herë kujtoi shëmbëlltyrën e ish presidentit Vokrri dhe tha se ai jeton me neve, ai na sheh e dëgjon nga lartë ndaj lavdi veprës së tij. “Dardanët” lëshuan  mbi qiellin e kaltër me mijëra balona me numrin  9 dhe panon me mbishkrimin “Përjetësisht bashkë” Fadil Vokrri. Ndërsa pranë stadiumit në orët e vona të mbrëmjes “Dardanët” lëshuan edhe fishekzjarrë të shumta ku ndriçuan qiellin mbi kryeqytet e ku ishin të pranishëm drejtues të FFK-së, familja e Fadil Vokrrit dhe qytetarë.