30 tetor, 2023 – Federata e Futbollit e Kosovës e ka bërë lansimin e Strategjisë për Futbollin e Femrave me një ceremoni madhështore në hotel “Emerald” me praninë e përfaqësuesve të FIFA-s e UEFA-s si dhe mysafirëve të shumtë. Pjesë e kësaj ceremonie krahas presidentit Agim Ademi ishin edhe anëtarët e KE të FFK-së, u.d.sekretari i përgjithshëm, ekipi kombëtar i vajzave dhe futbolliste, trajnere e gjyqtare të futbollit, si dhe përfaqësues të klubeve.

Në hapje të kësaj ceremonie presidenti Ademi theksoi se kjo është një ditë e veçantë për FFK-në, duke pasur parasysh se pas shtatë viteve të anëtarësimit në UEFA e FIFA, për herë të parë është hartuar një strategji e tillë.

“Si president i FFK-së jam krenar që e kemi arritur një gjë të tillë në bashkëpunim me UEFA-n e FIFA-n dhe me punën e bërë nga ekipi punues. Kjo strategji është një hap i madh në zhvillimin e futbollit të femrave në vendin tonë. Futbolli i femrave është prioriteti ynë dhe përmes kësaj strategjie synojmë të rrisim pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në të gjitha aspektet në futboll. Ne krahas kësaj strategjie po krijojmë edhe mundësitë e duhura që vajzat t’i bashkohen futbollit përmes përmirësimit të infrastrukturës sportive”, ka thënë kreu i FFK-së.

Përfaqësuesja e FIFA-s, Sue Ronan Martin ka thënë se është kënaqësi që sot po prezantohet Strategjia e Futbollit të Femrave pas një pune vuluminoze njëvjeçare. “Ideja e gjithë kësaj pune është se ku jemi sot dhe ku duam të arrijmë në të ardhmen. Përmes kësaj strategjie FIFA dhe UEFA duan të mbështesim zhvillimin e futbollin e femrave në Kosovë”, ka theksuar ndër të tjera Sue Ronan Martin. E krijimin e kësaj strategjie dhe punën e FFK-së në futbollin e femrave e vlerësuan edhe përfaqësuesja tjetër e FIFA-s, Arbenita Morina dhe përfaqësuesi i UEFA-s, Dan Whymark.

Shefja e futbollit të femrave në FFK, Valbon Gashi Uka ka thënë se hartimi i kësaj strategjie vjen pas një pune njëvjeçare, ku janë zhvilluar shumë takime punuese dhe konsultuese të grupit punues. “Po ashtu me ndihmën e FIFA-s kemi organizuar punëtori ku janë ftuar akterët relevant të involvuar në futbollin e vajzave, punëtori të cilat ka mundësuar të bëjmë një analizë rreth gjendjes aktuale dhe janë ndërthurur idetë dhe sygjerimet e dhëna që të krijojmë synimet e qarta për të ardhmen. Qëllimi i kësaj strategjie është krijimi i mundësive të zhvillimit të vazhdueshëm të futbollit të vajzave”, ka thënë ajo.

Politikat e përfshira në këtë strategji kanë për qëllim ngritjen e cilësisë dhe zhvillimit, andaj fokusi është tek këto fusha: Pjesëmarja; Garat; Edukimi; Ekipet kombëtare, Rrugëtimi elitar; Komunikimi dhe marketingu; Mirëqeverisja dhe Udhëheqja.

Misioni i kësaj strategjie është të fuqizohet çdo vajzë dhe grua përmes futbollit, duke nxitur aftësitë e tyre sportive dhe ndërpersonale, duke sfiduar dhe riformësuar përceptimet shoqërore.

Në fund të kësaj ceremonie përvojat e tyre në futboll i kanë paraqitur përmes një paneli Xhuli Berisha, Lumturije Muhadri dhe Sanije Krasniqi. Ato kanë thënë se pasioni për futbolli në Kosovë është i madh, sidomos tani kur kushtet për punë janë dukshëm më të mira dhe më të avancuara. Ato kanë nxitur sa më shumë vajza të merren me futbollin dhe të jenë pjesë e rrugëtimit të suksesshëm për të ardhmen e tyre.