Sot  më 25 gusht Federata e Futbollit e Kosovës mbajti Kuvendin e rregullt të punës, nën drejtimin e presidentit Fadil Vokrri, ku morën pjesë 43 delegatë. Duke i përshëndetur kuvendarët e në veçanti zyrtarin e lartë dhe përgjegjës për hat-trik të UEFA-s, z. Thierri Favre, presidenti Vokrri tha: “Z.Favre tashmë është një mik i FFK-së dhe i cili ka bërë shumë dhe po bën për një mbështetje të madhe në zhvillimin e futbollit të Kosovës në të gjitha segmentet”.
Tutje presidenti Vokrri ka dhënë një pasqyrë të gjithmbarëshme të zhvillimit të futbollit në Kosovë pas pranimit në UEFA dhe FIFA.
“Zhvillimet kanë qenë mjaft intensive që kanë kërkuar trajtim të kujdesshëm. Kombëtarja A e Kosovës ka marrë pjesë në kualifikimet për Botërorin ‘Rusia 2018’ dhe me këtë zëri i Kosovës është dëgjuar gjithandej. Pas pranimit në UEFA dhe FIFA nëpërmjet mediave dhe reportazheve ju dha një nxitje e madhe futbollit kosovar. Përfaqësimi  me dy klube, Trepçën 89 dhe Prishtinën e bëri Kosovën edhe më  shumë të njohur. Jemi në rugë të mbarë të kemi një Kombëtare të fortë, duke mos lënë anash as Kombëtaret tjera U-15, U-17, U-19 dhe U-21. FFK-ja ka përfituar nga shumë projekte të UEFA-s dhe FIFA-s. FFK-ja një rëndësi të veçantë po i kushton edhe futbollit të femrave si dhe Kombëtareve të femrave A dhe U-19, sikur që nuk është lënë aspak anash futsalli. Funksionalizimi i 7 Lidhjeve rajonale të futbollit është një e arritur e madhe. Po ashtu FFK-ja përgjatë këtij viti u angazhua edhe në përgatitjen profesionale të gjyqtarëve dhe kontrollorëve si dhe trajnerëve. Duhet të theksoi dy të arritura në fushën  referimit, ngritja e gjyqtarëve si Genc Nuza, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, Befsort Kosumi dhe Lumturje Muhadri sikur edhe dy gjyqtarëve të futsallit Besar Beqiri dhe Besart Ismajli.  Sistemi i garave në Vala Superligë me 12 skuadra po na e forcon bindjen se e kemi një sisitem të mirë. Kemi bërë luftë të ashpër ndaj dukurive negative dhe organet tona e kanë kryer me përpikëri punën e tyre. Po ashtu kemi punuar edhe në marketing të lansuar por kemi krijuar edhe sponsor besnik si Vala-Kosova Telekom, Air Prishtina, TEB, hotel Emerald dhe Kelme. Prioritet i FFK-së mbetet bashkëpunimi i ngushtë me median për të qenë transparent në punën tonë. Kemi vu edhe prioritet tona si: pavarësia e institucionit të futbollit në drejtim profesional, shëndoshja e buxhetit, pjesëmarrja në organizmat ndërkombëtar, ndërtimi i një stadiumi kombëtar, kualifikimi i mundshëm i kombëtareve që janë në gara dhe lufta e pakompromis përballë çdo fenomeni dhe dukurie negative që kërcënojnë zhvillimin e futbollit dhe të garave”, ka theksuar presidenti Vokrri në fjalimin e tij.
Ndërkohë, punimet e Kuvendit i ka përshëndetur edhe z. Thiere Favre, i cili tha se në emër të presidentit të UEFA-s, z. Çeferin, ju përcjell përshëndetjet dhe falënderimet për mikpritjen e jashtëzakonshme. “ FFK-ja tash është një anëtare e re por shumë intersante e UEFA-s dhe së këndejmi do ta mbështesim edhe më tej. Me presidentin Vokrri jemi miq dhe ai po punon shumë. Por gjithsesi keni shumë për të punuar dhe ne do t’u ndihmojmë. Me kujtohet kur janë shpallur lauretatët kur kemi folur për licencimin e klubeve dhe këtë ja arritët, ku Trepça ‘89 dhe Prishtina morën pjesë në garat evropiane. Por ende mbetet një sfidë e madhe përmirësimi i infrastrukturës”, ka theksuar Favre.
Kuvendarët shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin nga mbledhja e kuvendit të kaluar. Po ashtu Kuvendi pas dikstumeve miratoi edhe raportin e punës, raportin e garave dhe atë financiar. Ndërkaq kuvendarët miratuan edhe plotësim ndryshimet  e Statutit t FFK-së në përputhje me statutin e UEFA-s dhe FIFA-s. Kuvendi pranoi edhe anëtarët e rinj, si në vijim: Akademia e futbollit “J-United” nga Gjakova, ShF ”Deçani” nga Deçani, KF ”Sharri” Hani i Elezit, FC ”Dardanët” nga Gjakova, KF ”Çeliku” nga Ferizaj, SHF ”Drenoci” nga Drenoci i Malishevës, FC ”Aroma” nga Dragashi, KF”Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni,  KF”Dardania” nga Qyshku i Pejës, SHF”Peja” nga Peja, FC ”Dejni” nga Dejni i Rahovecit dhe KF”Rinia” nga Miradia e Epërme.
Kuvendi shyqrtoi edhe ankesat dhe parashtresat drejtuar kuvendit.