2 mars, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës, sot, në hotel “Emerald” ka mbajtur Kuvendin e rregullt të Punës. Të pranishëm në Kuvend ishin 56 nga gjithsej 59 delegatë, derisa në mesin e mysafirëve ishin përfaqësuesi i UEFA-s, Thierry Favre, ministri i Sportit, Kujtim Gashi, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, nënpresidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, drejtori i DSK-së, Ibër Alaj, etj.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan ministri i sportit, Kujtim Gashi, Thierry Favre dhe Ilir Shulku, të cilët përgëzuan FFK-në për punën e bërë që nga kuvendi i fundit, duke uruar që me këtë ritëm të vazhdojë puna edhe në periudhën e ardhshme.
Ndërkohë, në fjalimin e tij para kuvendarëve, presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se në periudhën ndërmjet dy kyvendeve futbolli ka qenë në vëmendjen jo vetëm të opinionit sportiv, por edhe të gjithë kosovarëve. “Rritja e interesimit për futbollin ka ardhur nga një sërë faktorësh, ku unë pa dyshim do ta veçoja garën tejet interesante në Vala Superligë, e cila falë transmetimit të ndeshjeve nga Digitalb ka rritur interesimin për futbollin kosovar në masë dhe atë përtej kufijve. Po ashtu do ta veçoja prezantimin e përzgjedhjeve të Kosovës, në veçanti të përzgjedhjes U-19, e cila ka arritur të kualifikohet në ‘Elite Round’, por edhe U-17 e U-21, të cilat kanë tërhequr vëmendjen të ekspertëve dhe mediave të huaja, për çka janë vlerësuar. Këtu do ta përmendja edhe finalizimin e punimeve në Stadiumin e Prishtinës, një stadium i shpresës, një investim i Qeverisë së Kosovës, i cili është ndjekur me kërshëri të madhe nga publiku kosovar”, ka theksuar Vokrri.
Tutje presidenti Vokrri ka kërkuar nga klubet që të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë, në të gjitha aspektet në mënyrë që interesimi për futboll të jetë edhe më i madh dhe njëkohësisht të rritet edhe cilësia e lojës dhe e garës. Presidenti ka përmendur edhe seminaret e ndryshme të organizuara për gjyqtarë, që është një segment tjetër në cilin FFK po punon intensivisht.
Një tjetër element i rëndësishëm në të cilin po punon FFK, ka thënë më tej Vokrri, është edhe afrimi i tifozerisë në stadiume, gjë e cila e bënë garën më interesante dhe më të bukur. Në disa raste të izoluara ka pasur shfaqje të dhunës, por ne si FFK me organet tona kemi arritur që me sanksionimet e këtyre gjërave ta zvogëlojmë dukshëm numrin e tyre.
Investimi në infrastrukturë është fokusi kryesor i FFK-së në periudhën e ardhshme, është shprehur presidenti Vokrri. Si rezultat i punës së vazhdueshme me ministrinë ne në qershor do ta kemi të gatshëm stadiumin në kryeqytet që do t’i plotësojë të gjitha kushtet e UEFA-s, derisa paralelisht me këtë kemi punuar për fillimin e ndërtimit të 12 fushave me bari sintetik, e ku 6 prej tyre do të jenë të financuara drejtpërdrejt nga FFK. Një investim tjetër yni do të jetë Kompleksi Sportiv në Obiliq, qendër kjo e cila krijon mundësi dhe lehtësira për përgatitjen e ekipeve kombëtare. Natyrisht si qëllim i yni kryesor mbetet ndërtimi i Stadiumit Kombëtar, i cili do të mbështet nga Qeveria. FFK do të vazhdojë me këtë politikë të përmirësimit të infrastrukturës sportive në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë dhe pushtetet lokale. Prandaj, ju premtoj se do të vazhdojmë të punojmë me këto ritme edhe në periudhën e ardhshme, në mënyrë që ta ngrisim futbollin tonë në nivele më të larta.
Si ngjarje të rëndësishme në periudhën që e lame pas Vokrri ka përmendur pjesëmarrjen e parë në kualifikimet e Botërorit 2018, megjithëse jo me shumë sukses, pastaj vizitën e presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin në Kosovë, si dhe pjesëmarrjen e FFK-së në të gjitha ngjarjet e mëdha të UEFA-s e FIFA-s, si dhe debutimin e klubeve kosovare në kupat evropiane.
Në fund presidenti Vokrri ka theksuar se si objektiva që ia ka parashtruar vetës në periudhën e ardhshme janë përfaqësimi i denjë ndërkombëtar, zhvillimi i futbollit vendor, përmirësimi i infrastrukturës, zhvillimi i lojtarëve dhe shkollave të futbolit, edukimi i trajnerëve, gjyqtarëve dhe administratorëve të futbollit, zhvillimi dhe rritja e futbollit të femrave, por edhe shumë elemente tjera.
Gjatë punimeve të këtij kuvendi u miratuan me shumicë absolute procesverbali i Kuvendit të kaluar, Raporti i Punës, Raporti i Garave dhe Raporti Financiar. Po ashtu Kuvendi miratoi disa parashtresa dhe ankesa, bëri pranimin e klubeve të reja në familjen e FFK-së, si dhe me kërkesë të delegatëve u bë amadamentimi i Statutit të FFK-së, ku personave që janë në organe ekzekutive politike dhe organe tjera ligjëvënëse nuk u lejohet kandidimi për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, me qëllim të harmonizimit të Statutit të FFK-së me Statutin e UEFA-s.