Sot më 4 nëntor delegacioni i FFK-së, kryetari Fadil Vokrri dhe nënkryetari Agim Ademi, vizituan Federatën e Futbollit të Maqedonisë ku u pritën nga kryetari i saj Ilço Gjorgjiovski, nënkryetari Muhamet Sejdini dhe zv. sekretari i sekretarit të përgjithshëm Enver Sulejmani. Kryetari Vokrri e falënderoi mikpritësin Gjorgjiovski, për kohën që ka ndarë dhe për mikpritje. Kryetari Vokrri e njohu homologun e tij maqedon për rrjedhat e futbollit të Kosovës e veçmas për përpjekjet e FFK-së për t’u bërë anëtare e mekanizmave ndërkombëtar, duke kërkuar mbështetjen e Fedeartës maqedonase në Kongresin e ardhshëm të UEFA-s ku do të diskutohet pranimi i FFK-së në UEFA. Kryetari i FF të Maqedonisë i premtoi kryetari Vokrri se FF e Maqedonisë si një fqinje e mirë do ta mbështesë FFK-në jo vetëm në pranimin e saj në UEFA, por është e interesuar për një bashkëpunim gjithëpërfshirës me FFK-në. Po ashtu të dy kryetarët biseduan për futbollin në rajon dhe më gjerë.