9 shkurt 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës, gjithmonë është kujdesur edhe për kategoritë e veçanta të shoqërisë. Vite më parë FFK-ja kishte ndihmuar Shoqatën e të sëmurëve me syndromin Down, ndërkaq sot sekretari i përgjithshëm i FFK-së, z. Eroll Salihu u dorëzoi pajisje sportive (fanella e topa) Shoqatës Sportive të Shurdhërve të Kosovës. Duke i përshëndetur drejtuesit e Shoqatës, sekretari Salihu tha: ”Ndjehem i privilegjuar që sot do t’ua dorëzojë tri komplete fanella me tri ngjyra dhe 10 topa për aktivitetin e juaj, që shpresoj se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. FFK-ja vazhdimisht është në përkrahje të Shoqatave si e juaja, në mënyrë që sadopak t’ua bëjmë jetën më të lehtë dhe që të ndjeheni të barabartë me të tjerët”. Ndërkaq, Koordinatori i Shoqatës sportive të të shurdhërve të Kosovës, z. Enver Kurtalani, duke u falënderuar ka thënë se me përkrahjen e FFK-së do të krijojmë një ekip kombëtar të shurdhëve pasi që jemi tashmë edhe pjesë e Shoqatës më të madhe botërore të të shurdhërve. Ne besojmë se do të bëhemi një ekip i mirë dhe i suksesshëm për ta prezantuar me dinjitet Kosovën”. E në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i kësaj Shoqate, z. Bujar Bejtullahu, theksoi:” Ne bëjmë aktivitet të shpeshtë në futboll të vogël, por tashmë dëshirojmë edhe të luajmë edhe në futboll të madh. Unë falënderoj FFK-në dhe sekretarin Eroll Salihu për mbështetje me shpresën se nuk do t’i zhgënjejmë.”