31 tetor, 2020 – Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon t’u qëndrojë afër klubeve anëtare të saj, duke i mbështetur në forma të ndryshme, veçmas në përmirësimin e infrastrukturës sportive, në mënyrë që aktiviteti i tyre të zhvillohet pa pengesa dhe në kushte sa më optimale. Së fundmi, FFK e ka ndihmuar FC Prishtina me fushën e stadiumit ndihmës në Bërnicë, duke ia siguruar barin artificial dhe pjesët e tjera të fushës. Kësisoj, klubi bardhekaltër i kryeqytetit është bërë për herë të parë me fushën e saj stërvitëse, aty ku do t’i zhvillojë stërvitjet ekipi i parë, por edhe ekipet e tjera zinxhirë të grupmoshave. Fusha tashmë është në dispozicion të klubit falë ndihmës së FFK-së, derisa është bërë një punë e shkëlqyeshme, e cila pa dyshim do të ndikojë edhe në aktivitetin e klubit dhe të talenteve të futbollit kryeqytetas. Në kuadër të strategjisë së re të futbollit, FFK planifikon që të mbështesë edhe shumë projekte tjera të infrastrukturës, me qëllimin e vetëm që futbollistëve të rinj t’u ofrohet mundësia për ta treguar potencialin dhe talentin e tyre në fushën e gjelbër.