29 gusht, 2018 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Kujtim Gashi, e kanë nënshkruar sot memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve, i cili ka për qëllim realizimin e projektit të kompleksit për ekipet kombëtare në Obiliq, ku do të investohet në tri fushat aktuale në stadiumin “Agron Rama”. Për realizimin e këtij projekti Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka siguruar diku rreth 10 hektarë në marrëveshje me Komunën e Obiliqit, derisa projekti do të financohet nga UEFA dhe FIFA. Pas nënshkrimit të këtij memorandumi ministri Kujtim Gashi u shpreh i lumtur me arritjen e kësaj marrëveshje. “Ky projekt është në kuadër të masovizimit të sportit, përkatësisht avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës dhe është pjesë e bashkëpunimit të ngushtë që kemi me Federatën e Futbollit të Kosovës. Natyrisht që është njëri ndër projektet më të rëndësishme në infrastrukturën sportive që do të ndërtohet gjatë viteve 2018-2019 dhe në kuadër të saj të gjitha investimet që do të vazhdojnë do të jenë bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Është një model i ri i bashkëpunimit, një frymë e re e investimeve. Siç po shihet edhe 2019-2020 do të jenë vitet ku do të kemi një fokus të veçantë në infrastrukturën sportive”, ka theksuar Gashi.
Ndërkaq, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi, e falënderoi edhe një herë ministrin Gashi për gatishmërinë e treguar për t’i ndihmuar rreth këtij investimi.
“Nënshkrimi i këtij memorandumi është edhe një dëshmi që ministri i sportit dhe qeveria e ka bërë strategjinë për sportin përkatësisht për futbollin dhe kjo është një prej projekteve të radhës. Ne e kemi filluar realizimin e projektit për 12 stadiume për 12 ekipet e Superligës. E kemi bërë stadiumin ‘Fadil Vokrri’, të cilin falë ministrit dhe ministrisë ka përfunduar dhe tani është stadium i cili do të pranohet në kategorinë e katërt për ndeshjen e ekipit nacional. Ndërkaq, sa i përket projektit në Obiliq është financim i UEFA-s dhe FIFA-s por edhe i ministrisë, pasi që ministria ka siguruar bazën – tokën të cilën i është dhënë nga Komuna e Obiliqit”, ka theksuar presidenti Ademi, për të shtuar: “Kjo është një ngjarje e rëndësishme që sot e nënshkruam memorandumin për ta bërë kompleksin nacional të stërvitjes. Kjo është baza kryesore e një federate për të qenë stabile në kategoritë e tyre të reja. Do të kemi edhe projekte të reja të cilat do të financohen nga Ministria e Sporti si stadiumi Nacional, Stadiumi i Prizrenit, Gjilanit dhe në të gjitha qytetet MKRS ka investuar që ato stadiume të kenë kategorinë e dytë që ekipet tona të mund të zhvillojnë ndeshje. Me këto projekte FFK do të jetë më e përgatitura në rajon falë Qeverisë dhe Ministrisë së Sportit.
Kësisoj, kompleksi i futbollit në Obiliq prej rreth 10 hektarësh do të jetë në shfrytëzim të Federatës së Futbollit të Kosovës për 25 vjet, ndërkohë që shuma e investimit nga UEFA e FIFA kap shifrën prej 3 milionë eurosh. Në kuadër të këtij projekti kapital në fushën e infrastrukturës fizike sportive do të ndërtohen stadiumi kryesor, tribunat, ndërtesa e qendrës dhe fushat ndihmëse. Në bazë të këtij memorandumi i cili ka për qëllim zhvillimin dhe masivizimin e sportit, ngritjes së kapaciteteve dhe investimeve në infrastrukturën sportive, parashihet edhe që pas përfundimit të projektit të punësohen punëtorë nga Komuna e Obiliqit. FFK-ja do të mirëmbajë dhe menaxhojë tërë kompleksin dhe do të koordinojë aktivitetet dhe manifestimet sportive dhe pa kompensim do të lejojë që të tillat të zhvillohen në këtë kompleks.