27 shtator, 2017 – Sot janë mbyllur punimet e seminarit dy ditor për sistemin digjital të garave, i cili është organizuar nga FFK në bashkëpunim me UEFA-në. Punimet e seminarit i ka përshendetur edhe nënpresidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt për futbollin e Kosovës dhe kalimin në sistemin digjital të garave. Kosova sipas tij ka arritur ta kapë këtë projekt në kohën e duhur dhe do të jetë e para prej federatave në Evropë e cila do të kalojë në këtë sistem modern. Ndërkaq, përfaqësuesi i UEFA-s, Daniel Goteri, ka shprehur falënderimet e tij ndaj nënpresidentit dhe federatës për përkushtimin e treguar nga pjesëmarrësit e seminarit dhe ka shprehur bindjen se faza testuese e implementimit të këtij projekti do të kalojë me sukses. Faza testuese e kalimit në sistemin digjital të garave do të fillojë gjatë javëve të ardhshme, kurse nga edicioni i ardhshëm ky projekt pritet të implementohet.